Ekspozita “Krijo Evropën Tënde” sjell vizionin e të rinjve për të ardhmen europiane të Shqipërisë
Ekspozita multimediale “Krijo Evropën Tënde”, e zhvilluar më 9 dhjetor në ambientet e Europe House, mblodhi së bashku të rinj nga Elbasani, Tirana dhe Durrësi për të prezantuar përmes artit perceptimin e tyre mbi Bashkimin Evropian dhe procesin e integrimit. Aktiviteti u organizua nga ESN Tirana dhe u mbështet nga Agjencia Kombëtare e Rinisë (AKR), si pjesë e përpjekjeve të përbashkëta për të fuqizuar rolin e të rinjve në shoqëri dhe për t’i afruar ata me vlerat europiane.
Gjatë muajve shtator–tetor, më shumë se 50 të rinj në Elbasan, Durrës dhe Tiranë morën pjesë në trajnime të dedikuara mbi konceptet konkrete të procesit të integrimit evropian, përfitimet dhe detyrimet e Shqipërisë, si dhe rolin që të rinjtë mund të luajnë në këtë proces. Në nëntor, pjesëmarrësit u mentoruan për të zhvilluar punime artistike – nga piktura dhe instalacionet, te fotografia dhe video arti – duke reflektuar mesazhet e tyre për tema të ndryshme shoqërore dhe europiane. Arti, siç u dëshmua nga krijimet e tyre, ka fuqinë të pasqyrojë vlerat europiane, por edhe të përcjellë mesazhe të forta sociale.
Ekspozita prezantoi rezultatet e këtij procesi disa mujor, duke sjellë një qasje të freskët dhe reflektuese mbi të ardhmen e Shqipërisë në BE.
Gjatë fjalës së saj, Lutjona Lula, përfaqësuese e ESN Tirana, theksoi rëndësinë e rolit që rrjeti Erasmus Student Network luan në afrimin e të rinjve shqiptarë me vlerat europiane. Ajo nënvizoi se përmes aktiviteteve të tilla, të rinjtë jo vetëm njohin më mirë Bashkimin Evropian, por edhe fuqizohen të bëhen ambasadorë të vlerave europiane në komunitetet e tyre dhe më gjerë.
Z. Velislav Ivanov, Team Leader for EU Integration pranë Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, u shpreh i impresionuar nga vizioni që veprat e artit përcollën për të ardhmen e vendit. Ai theksoi se BE është mbi të gjitha një bashkim vlerash, dhe jo vetëm një proces teknik, duke vlerësuar mënyrën se si të rinjtë e interpretuan këtë dimension përmes krijimtarisë së tyre.
Ndërkohë, Z. Klark Radoniqi, Drejtor i Programeve Rinore në Agjencinë Kombëtare të Rinisë, falënderoi veçanërisht 50 të rinjtë e angazhuar në projekt për punën, përkushtimin dhe pasionin e tyre. Ai riafirmoi vizionin e AKR-së për të forcuar shtyllën e Integrimit Evropian dhe për të rritur përfshirjen aktive të të rinjve në proceset vendimmarrëse dhe zhvillimore.
Ekspozita u prit me interes të lartë nga pjesëmarrësit dhe vizitorët, duke krijuar një hapësirë dialogu mes të rinjve, institucioneve dhe publikut mbi rolin e artit në ndërgjegjësimin shoqëror dhe në ndërtimin e një të ardhmeje europiane.
Punimet e plota mund t’i shfletoni virtualisht këtu: https://erasmustirana.org/wp-content/uploads/2025/12/Libretto-KrijoEuropenTende.pdf